BB: Emigracioni dhe plakja e popullsisë po frenojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë
Banka Botërore paralajmëron se emigracioni, plakja e popullsisë dhe mungesa e fuqisë punëtore po kufizojnë ekonominë.
Emigracioni i vazhdueshëm, plakja e popullsisë dhe mungesa e punonjësve me aftësitë e kërkuara nga bizneset po kufizojnë potencialin e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Pavarësisht përmirësimeve të regjistruara gjatë dekadës së fundit, tregu i punës po shfaq shenja dobësimi, ndërsa pjesëmarrja e grave dhe të rinjve në punësim mbetet një nga sfidat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në raportin “Poverty & Equity Brief” (Përmbledhje mbi Varfërinë dhe Barazinë), të publikuar më 9 tetor 2026, Banka Botërore vlerëson se përmirësimet në tregun e punës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në uljen e varfërisë, por treguesit më të fundit sinjalizojnë një ngadalësim të këtij procesi.
“Emigracioni i vazhdueshëm, plakja e popullsisë dhe mospërputhja e aftësive me kërkesat e tregut vazhdojnë të kufizojnë ofertën e fuqisë punëtore dhe rritjen e produktivitetit”, thekson raporti i Bankës Botërore.
Punësimi në rënie, papunësia në nivelin 8.4 për qind
Sipas të dhënave të raportit, në tremujorin e parë të vitit 2026, pjesëmarrja në forcat e punës për grupmoshën 15–64 vjeç zbriti në 76.2%, duke shënuar një rënie prej 0.5 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Norma e punësimit për popullsinë mbi 15 vjeç ishte 58%, ose 0.3 pikë përqindjeje më e ulët në krahasim me një vit më parë, ndërsa norma e papunësisë qëndroi në 8.4%. Banka Botërore evidenton se problemet janë më të theksuara te gratë dhe të rinjtë, të cilët vijojnë të regjistrojnë nivele më të ulëta pjesëmarrjeje dhe punësimi krahasuar me burrat në moshën kryesore të punës.
Institucioni vlerëson se shfrytëzimi më i mirë i kapitalit njerëzor është një nga kushtet kryesore për ruajtjen e ritmeve të rritjes ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së popullsisë.
“Shfrytëzimi më i mirë i kapitalit njerëzor të Shqipërisë, veçanërisht përmes rritjes së pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe mundësive më të mëdha të punësimit për të rinjtë, do të jetë vendimtar për ruajtjen e rritjes ekonomike, përshpejtimin e uljes së varfërisë dhe afrimin me vendet me të ardhura më të larta”, vlerëson Banka Botërore.
Barazia gjinore në punësim mund të rrisë PBB-në për frymë me 12 për qind
Një nga gjetjet kryesore të raportit lidhet me ndikimin ekonomik të diferencave gjinore në tregun e punës. Sipas Bankës Botërore, vetëm eliminimi i hendekut ndërmjet grave dhe burrave në punësim mund të gjenerojë një rritje të vlerësuar prej 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë në afat të gjatë.
Ky vlerësim tregon potencialin ekonomik që lidhet me rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, ndërsa krijimi i më shumë mundësive të punësimit për të rinjtë konsiderohet gjithashtu i rëndësishëm për përmirësimin e produktivitetit dhe përshpejtimin e uljes së varfërisë.
Varfëria pritet të ulet në 21.6 për qind gjatë vitit 2026
Pavarësisht sfidave demografike dhe dobësimit të disa treguesve të punësimit, Banka Botërore parashikon që varfëria në Shqipëri të vijojë të bjerë gjatë vitit 2026, e mbështetur nga rritja ekonomike dhe përmirësimet e deritanishme në tregun e punës.
Sipas vlerësimeve të institucionit, niveli i varfërisë ka zbritur nga 25% në vitin 2024 në 23.1% në vitin 2025, ndërsa për vitin 2026 parashikohet të arrijë në 21.6%. Këto tregues bazohen në pragun ndërkombëtar të varfërisë prej 8.30 dollarësh për person në ditë, të llogaritur sipas fuqisë blerëse të vitit 2021, që përdoret për vendet me të ardhura të mesme të larta.
Megjithatë, Banka Botërore sqaron se shifrat për vitet e fundit janë vlerësime statistikore dhe jo matje të drejtpërdrejta të varfërisë. Kjo për shkak se anketa më e fundit e familjeve, e përdorur për matjen e këtij treguesi, i përket vitit 2018.
Banka Botërore: Të ardhurat duhet të rriten pothuajse katërfish për të arritur standardin global të prosperitetit
Raporti evidenton gjithashtu diferencën e konsiderueshme që vijon të ekzistojë ndërmjet nivelit të të ardhurave në Shqipëri dhe standardeve ndërkombëtare të mirëqenies.
“Shqipëria vazhdon të përballet me një sfidë të konsiderueshme në afrimin e niveleve të të ardhurave”, thekson Banka Botërore.
Sipas raportit, treguesi i hendekut të prosperitetit ishte 4.1 në vitin 2018. Kjo nënkupton se të ardhurat mesatare duhet të rriten pothuajse katërfish për të arritur standardin global të prosperitetit prej 28 dollarësh për person në ditë.
Gjetjet e Bankës Botërore tregojnë se, krahas rritjes ekonomike dhe uljes së varfërisë, Shqipëria përballet me sfida strukturore që lidhen me zhvillimet demografike, emigracionin dhe aftësitë e fuqisë punëtore. Rritja e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në punësim, si dhe përshtatja e aftësive profesionale me nevojat e bizneseve, identifikohen si faktorë të rëndësishëm për përmirësimin e produktivitetit dhe afrimin e vendit me ekonomitë me të ardhura më të larta.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)